‘Ex Fis’ sërish cak i grabitjes, dy persona të armatosur marrin gjithë pazarin ditor

Pompat e derivateve jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese. Cak i hajnave shpeshherë është pompa ‘Ex Fis’, e cila shumë herë është përballur me grabitje të armatosura, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme, ku në pikën në fshatin Banullë të Lipjanit, dy persona të armatosur dyshohet se kanë kryer grabitje.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se të dyshuarit kanë arritur që të marrin rreth 3 mijë euro pazar ditor.

Me t’u denoncuar rasti, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Në kuadër të veprimeve hetimore janë intervistuar punëtorët e kompanisë, të cilët kanë deklaruar se dy të dyshuarit menjëherë pas kryerjes së veprës janë larguar me shpejtësi për në drejtim të panjohur.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Grabitje ’, teksa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.

Lexo edhe:  Serbi nga Zubin Potoku e vret vetën me pushkë, la një letër para se t’i jap fund jetës