Dyshohen për të njëjtën vepër: Gjykata në Ferizaj nuk e dërgon në paraburgim vëllain e punëtores së këtij institucioni
Gjykata Themelore e Ferizajt nuk e ka dërguar në paraburgim personin e tretë si të dyshuar për përfshirje në rastin për “Mashtrim” të qytetarëve për punësime në Irak, Afganistan e Poloni.
Korab Hoxha, disa ditë pas arrestimit të një çifti nga Ferizaj, u ndalua nga Policia e Kosovës si i dyshuar për përfshirje në këtë rast ku të akuzuarit përfituan rreth 80 mijë euro.
Por për dallim nga dy të parët që u dërguan në paraburgim nga Gjykata, në rastin e Korab Hoxhaj nuk veproi njejt.
Hoxha u la i lirë pasi gjykata refuzoi kërkesën e masës së paraburgimit.
Atij i është caktuar masa e arrestit shtëpiak.
Gazeta Insajderi ka mësuar se Korab Hoxha është vëllai i zëdhënëses së Gjykatës Themelore të Ferizajt, Gentiana Hoxha.
Gazeta është interesuar të di nëse ka pasur ndikim lidhja familjare e punonjëses së gjykatës në refuzimin e kërkesës për paraburgim, por e njëjta nuk e ka komentuar këtë pjesë.
Në përgjigjet e Gjykatës thuhet se vendimi është marr nga ana e gjyqtarit të procedurës paraprake.
“Ndërkaq, sa i përket të dyshuarit të tretë K.H., Gjykata më datë 25.10.2023 ka pranuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, dhe e njëjta kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit refuzohet nga ana e gjyqtarit të procedures paraprake, pas vlerësimit të provave në shkresat e lëndës dhe Gjykata të dyshuarit i cakton masën e arrestit shtëpiak”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.
Ndërsa për dy të akuzuarit tjerë, Nazim dhe Kevsere Lohaj, Prokuroria Themelore në Ferizaj me datë 03.10.2023 ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarit N.L. Ndërsa për të dyshuarën e dytë siç pretendoni ju Prokuroria Themelore në Ferizaj nuk ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
Njoftimi i policisë lidhur me rastin:
Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, Sektori për Hetime Financiare pas ndërmarrjes se veprimeve hetimore dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj me datë 02.10.2023 kanë arrestuar dy persona të dyshuar për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprën penale të “Mashtrimit” e sanksionuar sipas kodit penal të RKS-së.
Të dyshuarit në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje gjatë viteve 2021 – 2022 dyshohet se kanë mashtruar persona të ndryshëm në regjionin e Ferizajt duke u kërkuar para me qellim të punësimit të tyre në Irak, Afganistan dhe Poloni, ku kanë kërkuar nga viktimat para në vlerë prej 2500 deri në 3000 euro me qellim të sigurimit të kontratës së punës në një kompani.
Në bazë të dëshmive të siguruara deri me tani dyshohet se vlera e mashtrimit të përfituar nga të dyshuarit arrin në 80,000.00 (tetëdhjetë mije) euro.
Të dyshuarit janë intervistuar në prezence të avokateve mbrojtës ku i dyshuari me iniciale (N.L.) me aktvendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa e dyshuara (K.L.) është liruar në procedurë të rregullt.