Arrestohen dy persona në Gjakovë, vodhën mallra në vlerë afër 100 mijë euro në një biznes
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar të cilët në një depo biznesi në rrugën “Gaspër Karaqi”, në Gjakovë kishin vjedhur mallra në vlerë 100 mijë euro.
Sipas PK-së të arrestuarit janë D.T i lindur në vitin 2000 dhe Q.L i lindur në vitin 1990, të dy shtetas të Republikës së Kosovës.
“Me datën 24.10.2023 rreth orës 10:55, ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se persona të pa njohur për të, kishin depërtuar brenda objektit të biznesit të tij në rrugën “Gaspër Karaqi” në Gjakovë, dhe nga depoja e këtij biznesi kishin vjedhur mallra të ndryshëm (veshmbathje, bizhuteri, gjësende të ndryshme shtëpiakë etj.) në vlerë rreth 100 000 (njëqind mijë) euro”, thuhet në komunikatë.
Policia ka bërë të ditur se pas kontrollit brenda objektit dhe në rrugën “Gaspër Karaqi”, janë gjetur disa pako me mallra që të dyshuarit i kishin marrë nga biznesi .
“Lidhur me rastin, në zbatim të urdhër kontrollit të lëshuar nga Gjykata, është kryer kontroll në një objekt biznesi po ashtu në rrugën “Gaspër Karaqi”, ku janë gjetur dhe sekuestruar disa pako me mallra të ndryshëm të cilat dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundër ligjshme me rastin e kryerjes se veprës penale të raportuar”, thuhet në komunikatë.