I dehur shkaktoi sherr në QKMF dhe sulmoi Policinë, ky është i dyshuari që u arrestua
Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, ku Policia është sulmuar nga një person, i cili ishte dërguar për tretman mjekësor – por që u fut në sherr me stafin mjekësor.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari që u arrestua pas intervenimit të Policisë është Florim Haklaj, 34-vjeçare.
Haklaj po dyshohet se derisa ishte në gjendje të dehur, fillimisht ka dëmtuar disa pajisje mjekësore e më pas i ka kanosur punëtorët shëndetësorë, të cilët intervenuan për t’i dhënë trajtimin mjekësor.
Përballë kësaj situate, mjekët kërkuan ndihmën e Policisë, me ç’rast një njësi policore doli në vendin e ngjarjes për ta arrestuar të dyshuarin, por hasën në rezistencë. I njëjti po dyshohet se e ka goditur një zyrtar policor, të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore.
Megjithatë, i dyshuari u prangos dhe u shoqërua në stacion policor, ku pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit urdhëroi ndalimin e tij.
Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin edhe Policia Rajonale në Pejë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se në gjendje të dehur i kishte kanosur dhe sulmuar fizikisht personat zyrtarë si dhe kishte dëmtuar disa pajisje. Po ashtu gjatë arrestimit i njëjti ka sulmuar edhe një zyrtar policor. Të lënduarit kanë pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”