Agim Bahtiri: Sipas informatave që kam, terroristët serbë depërtuan përmes një tuneli të Kopaonikut

Ish-kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, në emisionin DPT te Fidani, ka zbuluar se dyshimet janë që terroristët serbë, në ditën e 24 shtatorit, kanë hyrë në Kosovë me armë përmes një tuneli në Kopaonik.

Siç ka treguar Bahtiri, te ky tunel ka ekzistuar një pjesë e Minierës së Trepçës dikur. Ai tha se terroristët që sulmuan Banjskën po stërviteshin tash e dy vite, shkruan Reporteri.net.

“E panë se nuk ka rrugë tjetër përpos me ba një grup të njerëzve të cilët janë përgatitur në Serbi. Sipas informatave, qe dy vite stërviten në pjesën e veriut. Dhe ata i kanë bajtë armët, i kanë futë brenda nëpërmjet, sipas informatave që i kam unë, Kopaonikut i cili ka qenë një tunel i xehëtores në atë pjesë atje dhe kanë depërtuar përmes kerreve të regjistruar të KFOR-it. Është një tunel në Kopaonik ku përpara ka qenë një pjesë e Minierës së Trepçës atje”, ka deklaruar Bahtiri në ATV.

Ai tha se Vuçiqi patjetër është prapa sulmit, ndërsa tregoi edhe se cili ishte qëllimi i Serbisë.

“Asgjë nuk bëhet pa u pyet kryetari i Serbisë, i cili ka qenë këlysh i Millosheviqit, dhe pastaj edhe ministër i tij. Gjithçka është përgatitë nga Vuçiqi dhe njerëzit e afërt të tij të cilët kanë dashtë të pushtojnë veriun… për me pushtu veriun dhe me hy në negociata për ndarjen e veriut. Fatbardhësisht kjo nuk ndodhi sepse e kemi një polici të jashtëzakonshme”

“Është rreziku ende, por policia është t’u e ba një punë të shkëlqyeshme. Tani jemi në situatë pak më të mirë sepse e kemi edhe KFOR-in dhe EULEX-in”, tha ai.

Lexo edhe:  Ndodh edhe kjo: Kosovari tenton të shkojë në Gjermani me dhjetëra fishkë në valixhe, e kthejnë në aeroport