“Fëmijët kanë kërkuar të marrin qetësues…” – Shkollat pa plane evakuimi dhe kontroll

Rreth 275 mijë nxënës – nga gjashtë deri në 18 vjeç – ulen në bankat shkollore nëpër Kosovë çdo javë. Por, për sigurinë e tyre gjatë orëve sa qëndrojnë të rrethuar nga muret e shkollës, nuk ka shumë garanci.

Përfaqësuesja e Këshillit të Prindërve të Kosovës në Pejë, Fitore Cena, thotë se, ditëve të fundit, ka dëgjuar histori se si fëmijët nuk kanë dashur të shkojnë në shkollë pikërisht për shkaqe sigurie.

“Mua vetë shoqet më kanë thënë për fëmijët e tyre që kanë kërkuar të marrin qetësues se s’i ka marrë gjumi. Edhe sot në mëngjes kanë qarë, sepse nuk kanë dashur të shkojnë në shkollë”, thotë Cena për Radion Evropa e Lirë.

Këto reagime u bënë dy ditë pasi autoritetet e rendit arrestuan një person në Pejë, nën dyshimet se po planifikonte një sulm ndaj disa nxënësve në një shkollë.

Pas arrestimit më 8 tetor, ndaj të dyshuarit u përcaktua masa e paraburgimit për një muaj, lidhur me akuzat për “përgatitje të veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës”.

Nëse shpallet fajtor, sipas Kodit Penal të Kosovës, ai mund të dënohet me pesë deri në 20 vjet burgim.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) thotë se është marrë vazhdimisht me parandalimin e këtyre rasteve, por thekson se raste të tilla nuk janë raportuar ndonjëherë më parë.

“Gjendja në shkolla është stabile. Po bëjmë përpjekje që komuniteti shkollor të ndërgjegjësohet për temën e dhunës si problem global, të ketë qëndrim proaktiv në trajtimin e saj dhe të ushtrojë rolin e duhur në parandalim nëpërmjet arsimit cilësor”, thonë nga MASHTI.

Lexo edhe:  Parashikimi i motit për javën e ardhshme

Në deklaratën me shkrim dërguar REL-it, MASHTI pranon se ka pasur incidente të dhunës në shkolla, si fizike ashtu edhe verbale, por shton se ato po luftohen “sipas legjislacionit në fuqi, përfshirë Ligjin për mbrojtje të fëmijës, dhe sipas detyrimeve që dalin nga Protokolli për parandalim dhe referim të dhunës në shkolla”.

Ky protokoll i përshkruan përgjegjësitë e secilit institucion, si MASHTI apo Policia e Kosovës, në parandalimin dhe mbrojtjen e nxënësve nga dhuna.

Cena thotë se Këshilli i Prindërve të Kosovës e ka ngritur si çështje mungesën e sigurisë në shkollë disa herë, pasi që, sipas saj, ky është një problem që haset nëpër shkollat kudo në Kosovë.

“Për këtë arsye e kemi mbajtur edhe takimin menjëherë pas rastit që ndodhi në fundjavë. Kemi kërkuar që të rritet bashkëpunimi mes prindërve dhe shkollave dhe që roli i psikologëve të jetë më i fuqishëm”, thotë Cena.

Ajo shton se kërkesë tjetër e Këshillit të Prindërve për institucionet shtetërore të Kosovës, është që të ketë prezencë të policëve përreth objekteve shkollore.

Policia e Kosovës ka evidentuar 592 incidente në shkolla dhe përreth tyre gjatë vitit 2022. Kjo shifër ka qenë më e ulët në vitin paraprak, kur numri i incidenteve të tilla në shkollat e Kosovës ka qenë 413.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Policinë e Kosovës lidhur me rolin e saj në ofrimin e sigurisë në dhe përreth objekteve shkollore, si dhe për numrin e incidenteve të raportuara në shkolla gjatë vitit 2023, mirëpo nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Gjendja e sigurisë në shkollat në Kosovë

Eksperti i sigurisë, Arian Ibishi, thotë se në shkolla – si në shumë raste edhe në vendet e punës në Kosovë – masave të sigurisë nuk u kushtohet rëndësi e mjaftueshme.

Lexo edhe:  E tmerrshme: I riu e shantazhon 40-vjecaren, ia kërkon 2 mijë euro për mospublikimin e pamjeve nga moteli

“Është mungesë e vetëdijesimit, sepse në shkollat tona ende nuk shpjegohet asgjë për pjesën e sigurisë. Nuk ka një kontroll të mirëfilltë ende, thjesht mungon vetëdijesimi”, thotë Ibishi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, hap i parë drejt ofrimit të një niveli më të lartë të sigurisë do të ishte prezenca e policisë, pasi që duhet një kontroll më i rreptë i narkotikëve dhe armëve të ftohta.

Por, rruga drejt ofrimit të sigurisë në shkolla, sipas tij, nuk do të përfundonte as me kaq.

“Në shkollat tona mungon një plan i evakuimit, që do të ishte një informacion shumë i nevojshëm si për profesorë, si për nxënës dhe pjesën tjetër të stafit. Mungojnë daljet e evakuimit, shkallët emergjente…”, thotë Ibishi.

REL-i ka kontaktuar Drejtorinë e Arsimit në Pejë lidhur me gjendjen e sigurisë në shkolla, mirëpo nuk ka marrë përgjigje deri në momentin e publikimit të artikullit.

Ndërkohë, lidhur me akuzat për planin e B.M. për të kryer sulm ndaj nxënësve në një shkollë në Pejë, Prokuroria Speciale nuk ka pranuar të japë informata të tjera, meqë rasti është në fazën e hetimeve. Ndërsa, Prokuroria e Pejës ka thënë se nuk mund të deklarohet lidhur me rastin, meqë ai është duke u trajtuar nga Prokuroria Speciale.

REL-i ka raportuar edhe më herët për dhunë në shkollat e Kosovës, që ka përfunduar edhe me viktima, apo për raste të shpeshta të bullizmit.

Si është rritur niveli i sigurisë në shkollat në botë?

Pesë muaj më parë, një 13-vjeçar vrau tetë nxënës dhe një roje në shkollën fillore “Vladisllav Ribnikar” në Beograd të Serbisë.

Pas këtij rasti, Serbia ka shtuar numrin e policëve në shkolla, si dhe ka paralajmëruar ashpërsim të ndëshkimeve për armëmbajtje pa leje.

Lexo edhe:  Vigan Shabani që la policinë për arsye personale: Jam i gatshëm ta veshi prapë uniformën për veriun e Kosovës

Të shtënat masive nuk janë shumë të shpeshta në Serbi, shkaku i ligjeve që rregullojnë armëmbajtjen, në krahasim me vende të tjera si SHBA-ja.

Sipas të dhënave të publikuara nga mediumi amerikan CNN, këtë vit, deri më 3 tetor, janë regjistruar 58 të shtëna masive në shkolla në SHBA. Prej tyre, 39 janë kryer në shkolla fillore.

Nga këto sulme, 28 persona kanë mbetur të vrarë, ndërsa 67 të tjerë të lënduar.

Shkaku i sulmeve të tilla, shumë shkolla në SHBA kanë ndërmarrë masa të ndryshme për ngritjen e nivelit të sigurisë.

Sipas të dhënave të Qendrës Kërkimore Pew, me bazë në SHBA, shkollat në SHBA kanë ndërmarrë masa si: mundësia e mbylljes së klasave nga brenda, përgatitja e planit se si duhet të veprojnë nxënësit kur ka një sulmues, si dhe punësimi i zyrtarëve të sundimit të ligjit për patrullimin e objekteve shkollore./rel