Serbët ia sulmuan shtëpinë në Medvegjë, flet vajza nga familja shqiptare

Familja e Ruhan Muharremit nga Medvegja sonte janë kërcënua nga një grup personash të maskuar serbë të cilët kanë kënduar këngë nacionaliste kanë hedhur edhe gurë e mjete të rënda në drejtim të shtëpisë së tyre.

Rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar Aurora Muharremi e cila tha se janë të shqetësuar pas kësaj ngjarje dhe se ndihen të pa sigurt.

“Në mbrëmje rreth orës 18:00-19:00, një grup ka ardhë para shtëpisë kanë filluar të gjuajnë me gurë dhe duke sha “Kosova është Serbi”, “nanën e shqiptarëve”. Sapo kemi dalë jashtë, ata janë larguar. Nuk dinim nga po vijnë gjuajtjet me gurë. Në rrugën ku jemi ne, jemi e vetmja shtëpi me shqiptarë”, tha Muharremi.

Ajo shtoi se personat të cilët e sulmuan shtëpinë e tyre janë banorë serbë të Medvegjës. E njëjta shtoi se i janë drejtuar për ndihmë Këshillit Nacional të Shqiptarëve dhe OSBE-së.

Për këtë rast ka shkruar deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaqip Kamberi.

Postimi i plotë:

Familja e Ruhan Muharremit nga Medvegja mbrëmjen e kaluar u kërcënua nga një grup personash të maskuar.

Serbë që kanë kënduar për rreth gjysmë ore këngë nacionaliste kanë hedhur edhe gurë e mjete të rënda në drejtim të shtëpisë së tyre.

Partia për Veprim Demokratik dënon kategorikisht aktet e dhunës dhe frikësimit të familjes së Ruhan Muharremit në Medvegjë.

Një grup i panjohur ka kryer akte vandalizmi duke hedhur gurë dhe mjete të rënda në drejtim të shtëpisë së tyre.

Ne kërkojmë që autoritetet e sigurisë të ndërhyjnë menjëherë për të ruajtur rendin dhe qetësinë dhe për të siguruar që qytetarët shqiptarë në Medvegjë të mos jenë të ekspozuar ndaj abuzimeve dhe tmerreve të tilla.

Lexo edhe:  Djali në Rahovec kërkon ndihmë në Polici, e denoncon babanë për dhunën e ushtruar ndaj nënës

Gjithashtu, ftojmë Bashkësinë ndërkombëtare të ndjekë ngjarjet dhe të monitorojë situatën e sigurisë me kujdes, sidomos në Luginën e Preshevës.