“Largone kombin se iu kalli me benzinë”/ Mitrovicasi kërcënon të riun që e parkoi automjetin afër vendit ku punonin

Zënkat mes qytetarëve kosovarë lindin për arsye të ndryshme, të cilat shpesh herë janë edhe banale. Ndër arsyet më të zakonshme janë vendparkimet, që bëhen mollë sherri për qytetarët të fjalosen mes vete duke u sharë e ofenduar me njëri-tjetrin, por shpesh duke eskaluar edhe në kërcënime e dhunë fizike.

Një rast i tillë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në rrugën ‘Ali Zeneli’ në Mitrovicë, ku një person dyshohet se ka kërcënuar një 27-vjeçar.

Sinjali mëson se 27-vjeçari gjatë kohës që po punonte e kishte parkuar automjetin e tij afër vendit të punës, por kjo si duket e ka revoltuar pa masë 35-vjeçarin.

I dyshuari me të parë që furgoni është parkuar aty, ka shkuar te viktima dhe ka kërkuar ta largojë menjëherë automjetin që aty, në të kundërtën do i djeg me benzinë.

I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti ‘Kanosje’.

Lexo edhe:  Vdes nëna e tre ish-ushtarëve të UÇK-së nga Drenica