Familjarët i kërkojnë trupat e të vrarëve në Banjskë, akoma s’ka urdhër për lëshimin e tyre
Familjarët e tre sulmuesve të vrarë gjatë përleshjeve të armatosur në Banjskë të Zveçanit janë interesuar që të marrin trupat e tyre.
Nga MD-ja thanë se është kryer autopsia për të tri trupat e pajetë, por ato po qëndrojnë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, “në kushte adekuate deri sa të lirohen nga Prokuroria”.
Më 24 shtator, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur dhe i maskuar, që sipas autoriteteve ishte i përbërë prej 30 personash.
Në sulm u vra rreshteri Afrim Bunjaku dhe më pas autoritetet bënë të ditur se në përleshje mbetën të vrarë edhe tre sulmues.
Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.
Më 29 shtator, Millan Radoiçiq, që tha se po jep dorëheqje nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – përmes avokatit të tij e pranoi se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë, që Kosova e konsideron sulm terrorist.