“Rrëmbim, vjedhje e armë…”- E kaluara kriminale e të arrestuarve për drogë në Prizren, dyshohen për mbi 100 vepra

Antidroga e Policisë së Kosovës ka kryer dje një aksion në disa lokacione në Prizren, ku janë arrestuar katër persona, në mesin e tyre edhe ish-kandidati për asamblist i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet lokale të vitit 2021. Pulaj bashkë me të arrestuarit tjerë, Muharrem Pulaj, Flamur Shala dhe Xhevahir Koqinaj, dyshohen për shitblerje të drogës.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se këta emra nuk janë të panjohur për organet e drejtësisë, pasi edhe më herët ishin subjekt i hetimeve për dhjetëra vepra penale.

Sinjali mëson se ish kandidati për asamble komunale i AAK-së, Shkodran Pulaj, është i dyshuar për mbi dhjetë vepra penale si ‘Pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare’, ‘Sulm ndaj personit zyrtar’ e të ngjashme.

Edhe Flamur Shala është hetuar për mbi dhjetë vepra penale të cilat janë ‘Kanosje’, ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’, ‘Lëndim trupor’ dhe të tjera.

Numër më të madh të veprave penale për të cilat dyshohet ka i dyshuari tjetër, Muharrem Pulaj , i cili dyshohet për mbi 40 vepra penale si ‘Rrëmbim’, ‘Kanosje’, ‘Lëndim trupor’, ‘Vjedhje e rëndë’, ‘Vjedhje’, ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’ e ‘Posedim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Sipas informacioneve që posedon Sinjali, ‘Kampion’ në këtë mes është Xhevahir Koqinaj, i dyshuar për mbi 70 vepra penale. Koqinaj është hetuar për vepra penale të ndryshme si ‘Vjedhje e rëndë’, ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’, ‘Vjedhje’, ‘Lëndime trupore’, ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Të dyshuarve gjatë ditës së sotme u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Lexo edhe:  Egla shpërthen në fjalor banal pasi banorët i fshehin foton e babait të ndjerë

Po ashtu, Shkodran Pulaj do të hetohet edhe për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”

Sipas njoftimit të Gjyaktës, Shkodran e Muharrem Pulaj, Koqinaj dhe Shala “në bashkëveprim me të pandehurit Y.K., dhe L.K., pa autorizim blejnë ose posedojnë me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofrojnë për shitje substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotik, në atë mënyrë që fillimisht i pandehuri Y.K., dhe i pandehuri Sh,.P., blenë substanca narkotike të llojit Kokainë dhe Kanabis në sasi të mëdha nga persona të ndryshëm nga Republika e Shqipërisë, dhe pastaj e sjell në villen e tij e cila gjendet në lagjen Tusuz, të cilën më pas në bashkëveprim me të pandehuri M.P., Xh.K., L.K., dhe F.Sh., e ndajnë në sasi-qese të vogla me qëllim të shitjes apo shpërndarjes tek përdoruesit e këtyre substancave narkotike në Regjionin e Prizrenit”.

Gjatë bastisjes në shtëpinë e ish-kandidatit të AAK-së janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie, dhjetëra fishekë të pistoletës, një kafkë e pistoletës, sprej për pastrim të armëve, brusha për pastrim të armëve të zjarrit dhe një rrip për vendosjen e karikatorëve, njoftoi Gjykata.

Kujtojmë se sinjalizues të Sinjalit kanë bërë me dije se Pulaj, njihet si person që ka pasur krahun e fortë dhe asnjëherë nuk është prekur nga organet e rendit.

Veprimtaria e tij nuk është ndalur, teksa shoqërimi i tij me ish shefin e Antidrogës, Enver Bujari, në kohën sa ai mbante këtë pozitë ka vazhduar e madje edhe është bërë publike.