Dardanja e vogël befason Kombëtaren në stërvitje: Mos lakmoni asgjë që nuk e ka emrin Kosovë

Sot, në ditën e dytë të stërvitjeve të kombëtares së Kosovës në futboll, futbollistët tanë kanë pasur një mysafire të veçantë.

Bëhet fjalë për tre vjeçaren Nina Matoshi, e cila i ka befasuar dhe mbështetur futbollistët e kombëtares.

“Mos lakmoni asgjë që nuk e ka emrin Kosovë”, shkruante në parullën që mbante në duar Nina e vogël.

Klani ka marrë edhe një deklaratë nga babai i saj, Albatriti, i cili na ka rrëfyer dashurinë e madhe që ka Nina për Kosovën, futbollin dhe idenë mbrapa parullës.

“Nina është një fanse e madhe e futbollit. Shikon vazhdimisht futboll me mua, posaçërisht kur luan Kosova. Edhe këngët e preferuara i ka ato që kanë të bëjnë me Kosovën”, ka thënë Matoshi për Klanin.

“Sa i përket parullës, kemi parë së fundmi që shumë futbollistë, por edhe sportistë të tjerë, po zgjedhin kombëtare të ndryshme nëpër botë para asaj të Kosovës. Ky ishte një mesazh drejtuar të gjithë atyre, por posaçërisht futbollistëve të kombëtares tonë. Nuk ka para që mund ta blejë nderin, respektin dhe krenarinë që ta jap fanella e kombëtares tënde. Përfaqësimi i atdheut tënd. Prandaj, ky ishte edhe mesazhi që dëshiruam së bashku me Ninën ta përçojmë tek të gjithë”, ka thënë Albatriti.

Fatkeqësisht, Nina e vogël, megjithëse tifoze e Kosovës, nuk do të arrijë ta shikoj ndeshjen me Zvicrën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në pamundësi të sigurimit të një bilete për këtë ndeshje.

Lexo edhe:  Armend Xhoxhaj mposhtet nga boksieri turk