Një ditë pas rastit tragjik, lëndohet edhe një punëtor i ndërtimtarisë – me gjakderdhje në tru dërgohet për QKUK
Edhe pse rastet e lëndimeve të punëtorëve në vendet e punës nuk janë të rralla, kushtet nëpër kompanitë private po vazhdojnë të jenë të këqija, e ku prej të cilave po pësojnë më së shumti punëtorët. Kështu ka ndodhur edhe dje në Prishtinë, ku një 27-vjeçar humbi jetën tragjikisht pasi u rrëzua nga objekti ku punonte.
Një ditë pas këtij rasti të trishtë, në Policinë e Kosovës është denoncuar edhe një rast i lëndimit të një punëtori në rrugën “Rexhep Bislimi” të Ferizajt.
Burimet e Sinjalit brenda QKUK-së kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për një 50-vjeçar, i cili është lënduar teksa ka qenë duke punuar në objektin e “E.B Construction”. Viktima ka rënë nga një lartësi pasi ‘skelet’ mbi të cilat ishte janë rrëzuar, duke pësuar kështu lëndime të rënda trupore.
Sipas burimeve nga Emergjenca, punëtori ka pësuar gjakderdhje në kokë, por që fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetë.
Lidhur me këtë rast, Sinjali mëson se tashmë hetimet kanë nisur nga Inspektorati si dhe nga Policia, ndërkohë që me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti “asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.