Policia ndal për kontroll të rinjtë që silleshin me veturë në Ferizaj, iu gjejnë marihuanë

Pas ngjarjeve tronditëse në javën e parë të gushtit, ku tre persona mbetën të vrarë nga të shtëna me armë zjarri, e dhjetëra të tjerë u plagosën, Policia ka hartuar dhe ka filluar së zbatuari planin operativ ‘Goditja’. Kjo u bë me qëllim të shtimit të masave të sigurisë dhe operacioni po vazhdon në gjithë vendin. Sinjali vazhdimisht ka raportuar për kapjen e personave me armë ilegale e gjësende tjera të kundërligjshme.

Gjatë vikendit, Sinjali mëson se kanë vazhduar kontrollet në pika të ndryshme në të gjitha qytetet, me ç’rast edhe janë konfiskuar armë e substanca narkotike.

Njëri nga këto raste u zbulua në rrugën “Driton Islami” në Ferizaj, ku Policia ka ndaluar një veturë, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.

Burimet thonë se pas kontrollit ndaj të tre të dyshuarve, Policia ju ka gjetur një sasi të substancës së dyshuar narkotike, të llojit marihuanë.

Të njëjtit janë shoqëruar në stacion policor, ku edhe janë intervistuar lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Lexo edhe:  Sulmi në veri, Rama: Nuk ka nevojë për hetim ndërkombëtar për të vendosur disa masa ndaj Serbisë