Ndahet nga jeta në moshë të re kornisti i Filharmonisë së Kosovës

Dje ka ndërruar jetë kornisti i Filharmonisë së Kosovës, Bledar Bujupi, nga Arllati i Drenasit.

Lajmin për vdekjen e të riut, e kanë bërë të ditur familjarët e të ndjerit, derisa thonë se për ceremoninë e varrimit do të njoftojnë me kohë.

“Me pikëllim të thellë, njoftojmë se papritmas ka ndërruar jetë nipi im i dashur Bledar Avni Bujupi. Për ceremoninë e varrimit ju njoftojmë më kohë”, thuhej në njoftim.

Filharmonia e Kosovës ka njoftuar gjithashtu për vdekjen e të riut.

Postimi i plotë:

Me pikëllim të thellë ju njoftojmë se dje, më 22 gusht 2022, papritmas ka ndërruar jetë kornisti i Filharmonisë së Kosovës, Bledar Bujupi. I lindur më 1991, Bujupi ishte kornist i parë i Orkestrës.

Shkollimin e mesëm e kreu në Prishtinë (Klasa: B. Gashi) ndërsa atë universitar në Fakultetin e Arteve – Dega e Artit Muzikor në Universitetin e Prishtinës (Klasa: A. Goshev dhe A. Canaj). Ka punuar edhe me instrumentistë të njohur ndërkombëtar si: Guido Curti (Itali), Gregory Jones (SHBA), Premysl Vojta (Çeki) etj.

Që nga viti 2012 ishte anëtar i Filharmonisë së Kosovës. Krahas aktivitetit me orkestrën filharmonike, Bujupi ishte edhe anëtar i Orkestrës Frymore të FSK-së dhe anëtar i kuintetit të tunxhit “Prishtina Brass”.

Ka realizuar koncerte recitale dhe ishte pjesëmarrës në formacione orkestrale si “Albanian Youth Orchestra” dhe “Kosovo Youth Orchestra”. Ndarja e parakohshme e kolegut Bledar Bujupi është humbje e madhe, jo vetëm për Filharmoninë e Kosovës por edhe për skenën e muzikës klasike në vend.

Për detaje rreth mbledhjes komemorative në nderim të kornistit Bledar Bujupi, do të njoftoheni me kohë.

Lexo edhe:  Qyteti suedez po shet tokë për vetëm 0.08 euro për metër katror