Kërkohet kthimi i serbëve në institucione dhe mbajtja e zgjedhje të reja në veri
Vazhdimi i Dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “është çështje urgjente”, ka thënë emisari britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.
Ai ka kërkuar që gjendja në pjesën veriore të Kosovës të shtensionohet e të pasohet me kthimin e serbëve në institucionet kosovare, nga ku janë dorëhequr masivisht që nga 5 nëntori i vitit të kaluar.
Mes tjerash, Peach kërkoi edhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe.
“Mbështesim fuqishëm rrugën e normalizimit të marrëdhënieve. Në këtë moment ne vazhdojmë të mbështesim thirrjet e Bashkimit Evropian për depërshkallëzim”.
“Këtë e kam bërë vetë gjatë vizitave të mia dhe e theksoj edhe një herë se sa urgjente është të vazhdojmë me dialogun. Në historinë tonë dhe në përvojën time gati gjysmë shekullore në ushtri, është gjithmonë mirë të flasësh”, tha ai për për N1.
“I bëjmë thirrje të dyja palëve që të de-përshkallëzojnë situatën, të kthehen serbët e Kosovës në institucione që të ketë ekuilibër dhe drejtësi në polici”.
“Të kthehen sa më shpejt në aktivitetin normal të policisë dhe të mundësohet që demokracia të zërë rrënjë realisht në nivel lokal, me çka nënkuptoj zgjedhjet lokale. Ne presim përgjigjen më të madhe të mundshme dhe që të gjitha partitë të marrin pjesë në ato zgjedhje lokale”, u shpreh Stuart Peach.