Plas sherri në një familje në kryeqytet: Babai e godet me çekan djalin 30-vjeçar, ai e çon në Polici

Jo rrallëherë fëmijët janë viktima të dhunës qoftë nga prindërit e tyre apo edhe anëtarë të tjerë të familjes.

Në shumicën e këtyre rasteve, fëmijët janë edhe të moshës së mitur, ndaj të cilëve ushtrohet dhunë fizike e psikike, por ndodhë që edhe të rriturit të përfshihen në konflikte të tilla me baballarët, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në kryeqytet, në një familje në rrugën “Enver Hadri”, ku Policia arrestoi një 56-vjeçar

Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se këtë herë viktimë është një 30-vjeçar, ndaj të cilit dyshohet se për motive akoma të panjohura ka ushtruar dhunë babai i tij, i cili e ka goditur me çekan, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Siç mëson Sinjali, rasti është denoncuar nga viktima, i cili kërkoi ndihmë nga Policia, me ç’rast rrëfeu atë që kishte ndodhur në familjen e tyre.

Si rezultat i raportimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratë lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit dhe inicimin e rastit ndaj tij nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Dhunë në familje”.

Lexo edhe:  Skandaloze: Fabrika "Buquku" tentoi të helmonte qytetarët, mishin e prishur deshi ta përpunojë për virshlle e suxhuk