Policia për Kryeqytetin ka mbetur pa u funksionalizuar që pesë vite
Ligji për Policinë e Kryeqytetit është miratuar në korrik të 2018, dhe ende pas pesë vitesh nuk është funksionalizuar.
Ish-inspektori i AKI-së, Burim Ramadani, është shprehur se arsyet për këtë mund të jenë të ndryshme, por është e domosdoshme që tashmë të funksionalizohet Policia për Kryeqytetin.
“Nevoja për të themeluar Policinë Komunale të Prishtinës është artikular me vite e vite me radhë. Qysh në vitet e para pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, organet komunale të Prishtinës kanë theksuar dhe artikuluar publikisht vlerësimin për ndihmesën që do t’i bënte Prishtinës nëse ekziston Policia për Kryeqytetin”, ka thënë ai përmes një komunikate.
Ai ka thënë se duke u u bazuar në përgjegjësinë dhe mandatin e Policisë së Kosovës dhe njëkohësisht ngarkesës së madhe me detyra në baza ditore që nuk përkojnë me mandatin e saj, Policia e Kosovës përballet me domosdoshmërinë e alokimit të personelit të saj dhe shfrytëzim joprimar policor të burimeve te saja.
Tutje, Ramadani është shprehur se mbingarkeasa e Policisë së Kosovës në ofrimin e ndihmesës, do të pakësohej nëse funksionalizohet Policia për Kryeqytetin, sikur e ka përcaktuar Ligji.
Çfarë bën Policia për Kryeqytetin?
1) Zbatimin efektiv të akteve të nxjerra nga Kryetari i Komunës dhe Kuvendi Komunal, e që kanë të bëjnë me sigurimin e rendit e të qetësisë dhe mbarëvajtjen e punëve publike.
2) Të marrë masa për ruajtjen e pasurisë të komunës, si dhe të atyre që administrohen nga ana e Komunës.
3) Të sigurojë zbatimin e urdhërave të nxjerra nga Kryetari i Komunës në lidhje me personat juridik e fizikë, që nuk plotësojnë konform ligjit detyrimet financiare e fiskale ndaj Komunës, si dhe çdo detyrim tjetër pasuror ndaj tyre.
4) Reagimin në rastet e shkeljeve ligjore për zënien e hapësirave publike apo tregti e paligjshme, vendosjen e reklamave, tendave, dëmtimin e sipërfaqeve të gjelbërta, trotuareve, ndriçimit publik, ndotjen e mjedisit etj, si dhe ndëshkimin e kundërvajtësve me gjobë.
5) Të asistojë në parandalimin, pezullimin dhe prishjen e ndërtimeve pa leje.
6) Të mbështesë Inspektoratin në zbatimin e vendimeve për prishjen e ndërtimeve pa leje, objekte që kanë penguar punimet në infrastrukturën rrugore.
7) Të lirojë objektet që janë pronë e komunës, kopshte, biblioteka, ish- ndërmarrje etj. të zëna nga persona të ndryshëm në mënyrë abuzive.
8) Konstatimin dhe ndëshkimin e shkeljeve në drejtimin dhe parkimim e automjeteve që nuk respektojnë kërkesat e ligjit për rregullimin e trafikut.
9) Ndalimin e shitjes në rrugë dhe lëmoshë-kërkuesve.
10) Të mbikëqyrë respektimin e orarit të punës të objekteve hoteliere dhe objekteve të tjera që mund të prishin qetësinë e qytetarëve.
11) Të kontrollojë nëse qytetarët bëjnë pastrimin e dëborës dhe akullit para shtëpive të tyre, ndërtesave dhe hapësirë komerciale.
Si qeveriset Policia për Kryeqytetin?
“Është çështje e cila rregullohet me ligje në Kosovë dhe me standardet demokratike të qeverisjes së sektorit të sigurisë. Përgjegjësitë komunale në lidhje me Policinë për Kryeqytetin ndërlidhen me Kryetarin e Komunës dhe Drejtorinë për Siguri që tashmë veç është themeluarvnë Komunën e Prishtinës”, është shprehur Ramadani.
Policia për Kryeqytetin, Prishtinën, do të duhet të ketë po ashtu edhe mbikëqyrjes demokratike civile dhe mbikëqyrje publike.
Kështu, Asambleja Komunale duhet të themelojë Komision të veçantë për Mbikëqyrjen e Drejtorisë dhe Policisë për Kryeqytetin, duke arritur të mbikëqyrë edhe në aspektin e politikave, edhe të menaxhimit e administrimit, edhe të aspektit financiar, edhe të aspektit të ligjshmërisë së aktiviteteve.
Ndërlidhja me Policinë e Kosovës
Policia duhet të themelojë Drejtorinë e Policisë për Kryeqytetin, që do të ketë kompetencë vetëm në territorin e Kryeqytetit.
Kurse, kryetari i komunës, duhet t’i propozojë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, minimumin dy kandidatë për Drejtorë të Drejtorisë së Policisë për Kryeqytetin.