Ankohen anesteziologët e Kosovës, po vuajnë nga sindromi i lodhjes së tepërt

Numri i vogël i anesteziologëve në Qendrën Klinike Universitare (QKUK), ka bërë që anesteziologët aktual të stërngarkohen me punë, sidomos tani gjatë muajve të verës, kur është dhe kohë e pushimeve.

E puna e madhe, e numri i vogël i tyre, po e bënë pothuajse të papërballueshëm punën e anesteziologëve në QKUK.

Lulzim Emini, kryetar i Shoqatës së Anesteziologëve dhe Intensivistëve të Kosovës, ka thënë për “Indeksonline” se  puna e madhe i ka sjellë anesteziologët në një pozitë të vështirë, pasi që ata detyrohen të mbajnë kujdestari dhe nga tri netë radhazi.

“Gjatë periudhës nga mesi i qershori, korrik e gusht, kërkesat janë shumë të mëdha për kyerjen e operacioneve të ndryshme.  Anesteziologët janë në pozitë ku dhe duhet të shfrytëzojnë pushimin vjetor, por dhe duhet t’u përgjigjen kërkesave të mëdha, për kryerjen e shërbimeve shendetësore anesteziologjike, apo kryerjen e  operacioneve.  Kjo neve anesteziologëve na ka sjellë në pozitë të vështirë, pasi që duhet t’i mbajmë kujdestaritë dhe në të tretën natë. Kujdestari këto që janë jashtëzakonisht të ngarkuara dhe të vështira. Të themi dhe të dëmshme  për shëndetin e anesteziologëve. Por ja që puna duhet të kryhet. Mendoj që menaxhmenti i tanishëm qoftë në SHSKUK  qoftë dhe në MSH do të duhej të mendonte  për numrin e anesteziologëve”, tha ai.

Ai madje thotë se stafi i anesteziologëve në QKUK po vazhdon të punojë  përtej limiteve të durimit dhe se kjo ka shkaktuar tek ta Sindromin e  lodhjes së tepërt apo të njohur si “Burn-out”.

“Ne jemi në pozitë kur nuk kemi njerëz të mjaftueshëm, t’i përgjigjemi kërkesave  të cilat janë për momentin.  Dhe kjo e shtyn stafin që është duke punuar përtej limiteve të durimit dhe mundësisë që çdo ditë të bëjnë maksimumin e  tyre. Dhe në fundvit prapë do  të mbesin operacionet pa u kryer. Kurse stafi i Klinikës së Anestezionit dhe Mjekimit Intenziv, veç  ka mbërri  në stadin e Sindormit Burn- Out, kur profesionistët janë ekstremisht të lodhur dhe të ngarkuar me këtë punë dhe se kjo ndodh për disa vite radhazi”, ka thënë Emini.

Lexo edhe:  I thyhet xhami i veturës një kosovari Gjermani në të cilin ishte emblema e UÇK-së

Emini thotë se  QKUK-ja i ka vetëm 45 anesteziolog disa nga të cilët gjatë verës janë në pushime dhe se puna e tyre vështirësohet jashtë mase.

“Numri i anesteziologëve  duhet të arrihet në nivelin optimal ose mbi optimale, cfarë është në vendet e rajonit, ku do t’i lehtësohet puna anesteziologëve dhe do të rritet cilësia e shërbimeve. Ne presim veprime të atyre që marrin vendime. Nëse këto veprime janë të ngadalshme, atëherë përmirësimi i situatës do të jetë i ngadalshëm.  Presionin më të madh e kemi nga pacientet dhe ne duhet tu përgjigjemi atyre. Por ne këtë s’mund ta bëjmë, pa rritjen e numrit ëe anesteziologëve.  Në vitin 2020 kemi pasur numër më të madh të anesteziologëve  65 deri në 68 dhe sot kemi  vetëm 45. Kurse kërkesat kanë qenë në rritje.  Dhe nëse në sistem shendetësor ka profil shendetsor i tejngarkuar, atëherë janë anesteziologët”, tha ai.

Emini thotë se ka ankesa të shumta nga anesteziologët për sindromin e Burn-out dhe se në rast se personeli shëndetësor do të fillonte të ankohej dhe të kërkonte dëmshpërblim nëpër Gjykata, atëherë kjo do të dëmtonte tej mase buxhetin e shendetësisë.

“Gjithmonë ankesa kryesore , është lidhur me sindromin Burn- Out. Sepse njerëzit lodhen kur janë nën presion të madh të punës, për një koh të gjatë. Këtë s’mund ta kuptojnë ata profesionistë që nuk e kanë përjetuar këtë vëllim të punës dhe presionin e punës së rëndë. Po të ishte dhe në Kosovë siç është në vende tjera,  që personeli mjekësor me fillu me u anku dhe me kërku dëmshperblime nëpër Gjykata, mund ta merrni me mend çka ishte bërë me buxhetin e  shëndetësisë”, tha ai.

Lexo edhe:  Dy persona tentuan ta djegin me benzinë një shkollë në Prishtinë