Logopedi që e keqtrajtoi të miturën në Podujevë po mbahet në ndalim policor prej 48-orëve

Një logoped i raportuar në Polici për keqtrajtim të një të miture të shtunën në Podujevë, po mbahet në ndalim policor prej 48-orëve.

Lajmin për teve1 e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, derisa tha se ndaj logopedit që dyshohet se e keqtrajtoi të miturën do të ndërmerren veprime procedurale-ligjore.

“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se me urdhër të prokurorit i dyshuari gjendet nën masën e ndalimit prej 48 orësh, derisa ndaj të njëjtit do të ndërmerren veprime procedurale-ligjore. Ndaj kësaj çështjeje penale janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me Policinë”, ka thënë Ulaj.

Ndërkohë, një ditë më parë në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, ishte paraqitur një rast i ankimimit se një vajzë e mitur ishte keqtrajtuar gjatë trajtimit logopedik tek i dyshuari mashkull në Podujevë, i cili ishte cilësuar si “Lëndim i lehtë trupor” nga Policia.

“LËNDIM I LEHTË TRUPOR/Podujevë 12.08.2023-11:30. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se ndaj vajzës së saj të mitur ishte ushtruar dhunë fizike (kapur për flokësh) nga logopedi, i dyshuari mashkull kosovar ku ishte duke u trajtuar viktima. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është arrestuar dhe dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin policor.

Lexo edhe:  Vdes një burrë në Vushtrri, u rrokullis me traktor