Rrahje te frizer ‘Dani’ në Gjilan, i dyshuari ia thyen nofullën viktimës – intervenon Policia
Përleshjet mes të rinjve tashmë janë bërë të zakonshme në vendin tonë.
Pothuajse çdo ditë raportohet për sherre të ndryshme, motivet e të cilave shpesh dalin të jenë banale. E shumë shpesh viktimat përfundojnë me lëndime të rënda trupore.
Një rast i tillë ka ndodhur dje pasdite te frizer ‘Dani’ në qytetin e Gjilanit, ku dy persona janë përfshirë në një përleshje fizike.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se viktima është dërguar me urgjencë pr në Emergjencën e Spitalit në Gjilan, por për shkak të gjendjes së tij të rëndë, është transportuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.
Sinjali mëson se pas ekzaminimeve mjekësore është konstatuar se 46-vjeçari ka pësuar frakturë në nofull.
Ndërkohë i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i rëndë trupor’.