Policia jep detaje për shpërthimin në një lokal në Ranillugë

Një shpërthim ka ndodhur të shtunën në ora 14:15 në lokalin e quajtur “Kod Maksi” në Ranillugë.

Policia e Kosovës ka njoftuar për këtë rast, duke treguar se lokali është i serbit, Zoran Maksimoviq

”Njësitet policore relevante patrulluese, hetues nga Stacioni Policor Ranillugë, hetues rajonal duke përfshirë Krim Teknikën Rajonale dhe Njësia për trajtimin e mjeteve eksplozive i janë përgjigjur rastit”, thuhet në njoftim.

Më tutje thuhet se “nga vendi i ngjarjes është raportuar se nga ky rast lëndime trupore nuk ka pësuar askush përpos disa dëmeve të vogla materiale”.

”Pronari i lokalit nuk është takuar nga policia pasi i njëjti për momentin gjendet në pushime jashtë Republikës së Kosovës. Rrethanat se si ka ndodhur rasti vazhdojnë të hetohen nga Hetues Rajonal të Policisë në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit”, përmbyllet njoftimi i Policisë së Kosovës. 

Lexo edhe:  Ky është 22-vjeçari që u kap me 11 kg drogë në Gjilan, i dyshuari tjetër ende në arrati