Shoferi i ‘Hej Taxi’ kapet në flagrancë me marihuanë, dyshohet për shitblerje të drogës

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar së fundmi edhe mbrëmë pas mesnate, ku Njësia e Reagimit të Shpejt ndaloi një veturë të kompanisë, “Hej Taxi”, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.

Sinjali mëson se në veturë, përveç shoferit, ndodhej edhe një pasagjer, të cilët u kontrolluan nga zyrtarët policorë, me ç’rast u gjet një sasi e substancës narkotike, që dyshohet se i përkiste punëtorit të kompanisë së taksisë.

Shoferi që u kap me drogë është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë para hetuesve policorë në cilësinë e personit të dyshuar.

I njëjti, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, do të hetohet për veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe kompaninë, me ç’rast kanë bërë me dije se nuk kanë pasur informacione për arsyen e ndalesës së shoferit nga ana e Policisë,

Menaxheri i ‘Hej Taxi’ ka bërë me dije se shoferi i dyshuar është punëtor i ri, i cili ka filluar punën me gjysmë orari dhe ndaj tij do të merren masat e nevojshme pasi t’i marrin të gjitha detajet.

Ndryshe, Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.

Lexo edhe:  Prishtinasi e ngacmon vajzën që e njohu në një market, ajo detyrohet ta denoncojë në Polici