I dha dokumente të Kosovës një të kërkuari nga INTERPOL-i, ky është zyrtari i MPB-së që u arrestua dje

Policia e Kosovës dje ka arrestuar një zyrtar të Agjencisë për Regjistrim Civil në Ministrinë e Punëve të Brendshme nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.

Zyrtari i arrestuar siç merr vesh Paparaci.com është Drilon Berbati dhe ndaj të njëjtit Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda ka caktuar masën e paraburgimit ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Gjatë ditës së djeshme, Berbati është arrestuar nga policia e Kosovës nën dyshimet për dy veprat e lartcekura, më konkretisht, ai kishte pajisur me dokumente personale, letërnjoftim dhe pasaportë të Republikës së Kosovës një person nga Shqipëria i cili ishte në kërkim nga INTERPOL-i, shkruan Paparaci.com.

Aksioni për arrestimin e tij është udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Arrestimin e tij e ka realizuar Departamenti për Krime të Rënda në Policinë e Kosovës.

Prokuroria tha se i lartcekuri dyshohet se më 15.10.2021, në Prishtinë, respektivisht në zyrat e Agjencisë për Regjistrim Civil (ARC), në cilësinë e zyrtarit administrativ pranë kësaj Agjencie, përgjegjës për aplikim dhe shpërndarjen e dokumenteve personale (letërnjoftim, patentë shoferë dhe pasaportë), me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo për tjetrin, me dashje dhe dijeni, i ka keqpërdorur autorizimet e tija ligjore, duke vepruar në kundërshtim me legjislacionin për dokumentet personale, në atë mënyrë që, personit me inicialet M.D., shtetas i Republikës së Shqipërisë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli për vepra penale të narkotikëve, i sjellë dobi të kundërligjshme duke i ndihmuar që ta kompletojë, pranojë dhe vërtetojë dokumentacionin personal në emër dhe me të dhënat e të dëmtuarit A.N.

Prokuroria kishte kërkuar masën e paraburgimit për Berbatin, ndërsa sot, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda e ka pranuar këtë kërkesë.

Lexo edhe:  “T’ia rritësh pagën vetes është hajni”/ A po ‘vjedh’ Kurti, me projektligjin e ri paga e tij arrin mbi 2 mijë €

“Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.B dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Gjykata pas shqyrtimit dhe analizimit të kërkesës së Prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit, gjeti se kërkesa e prokurorit është e bazuar, ashtu që marrë parasysh kushtet e përcaktuara për masat konkrete, ka konsideruar se janë plotësuar kushtet ligjore të parapara me nenin 184 paragrafi 1 nënparagrafi 1 dhe 2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit D.B.”, thuhet në vendimin e Gjykatës.