Kapet “hajni i druve” duke prerë ilegalisht dru në mal, dërgohet në mbajtje

Prerja ilegale e druve në hapësira të cilat janë në prona publike, është një dukuri mjaft e shpeshtë në vendin tonë.

Përpos dëmtimit të hapësirës së gjelbër, të dyshuarit ngarkohen edhe me veprën penale të vjedhjes dhe si pasojë bien në telashe me ligjin, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar dje në fshatin Bukosh të Suharekës, pasi një person është kapur duke bërë prerjen dhe transportin ilegal të drunjve.

Sinjali mëson se 50-vjeçari, i cili është recidivist i veprave të ngjashme, është shoqëruar në stacion policor për intervistim, bashkë me automjetin në të cilin ishin ngarkuar drunjtë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje e pyllit’.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që me qëllim të vjedhjes pret trungjet në pyll dhe sasia e drunjve të prerë tejkalon dy  metra kub, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Lexo edhe:  Për festat e fundvitit Shoqata “Peja” nga New Yorku gëzon 350 familje në nevojë