Vdes paraburgosuri në QKUK, konfirmohet rasti edhe nga SHKK

Mëngjesin e sotëm, një i paraburgosur që po trajtohej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka ndërruar jetë. Vdekjen e të ndjerit e konstatoi ekipi mjekësor, ndërkohë që Policia tashmë është vënë në dijeni, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda QKUK-së kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Nermin Muliq, i cili po merrte trajtim mjekësor në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale.

Ai u dërgua atje nga qendra korrektuese në Hajvali, por pavarësisht intervenimeve mjekësore, i njëjti nuk arriti të mbijetojë.

Gazeta Sinjali ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga drejtori i klinikës, por nuk ka qenë i qasshëm.

Lajmin e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.

“Sot në Qendrën Klinike Universitare te Kosovës, ka ndërruar jetë i burgosuri N.M, i lindur më 1976 N.M është pranuar në burg me komplikime shëndetësore për çka është trajtuar në vazhdimësi në ambulancen e burgut dhe klinikat përkatëse sipas konsultimeve dhe rekomandimeve të SHSKUK-së.

Organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat e parapara me ligj për rastin e vdekjes së të burgosurit, si dhe do të bëhet autopsia si procedurë përfundimtare ligjore për verifikim të shkakut të vdekjes.”, thuhet në përgjigje.

Lexo edhe:  Paratë false i bëjnë telashe bankat në Kosovë – zbulohen tri raste në Prishtinë, Prizren e Mitrovicë