Vërshimet që tronditën vendin: Nënë e bir humbën jetën në Pejë, situatë ende e rënduar

Vërshimet si pasojë e shiut të madh ishin tragjike për qytetin e Pejës.

Gjithë vendi u trondit për vdekjen e një nëne dhe fëmijës të saj 5-vjeçar. Fillimisht u konfirmua se vogëlushi ishte dërguar në spital pa shenja jete, ndërsa nëna e tij rezultonte e zhdukur. Por tragjedia u thellua, kur Policia njoftoi se edhe gruaja u gjet e vdekur, raporton Gazeta Sinjali.

Në një njoftim për media, Policia njoftoi shkurt se gruaja që u zhduk, pas kërkimeve, u gjet pa shenja jete, rreth orës 01:20.

“Drejtoria Rajonale e Policisë Pejё, njofton se me datё24.06.2023 si pasojё e vërshimeve nё qytetin e Pejёs, nё lagjen “Asllan Qeshme” njё fёmijё ka humbur jetën ndërsa nëna e tij ёshtё e zhdukur. Pas kërkimeve nga njësitet Policore rreth orё 01:20, tёdatës 25.06.2023, ёshtё gjetur personi i zhdukur femër , vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor”, thuhet në komunikatë.

Ndërkohë, ka reaguar edhe kryetari i komunës, Gazmend Muhaxheri, i cili u shpreh i tronditur dhe ka ngushëlluar familjarët e viktimave, teksa ka thënë se ekipet e komunës janë në terren.

“Gjatë kësaj kohe të vështirë, shpreh ngushëllimet dhe solidaritetin tim të plotë. Shpresoj të kenë forcë për ta kaluar këtë situatë. Ndihma në kohë të vështira është thelbësore. Ekipet tona janë në terren dhe po e vëzhgojnë situatën e shkaktuar nga vërshimet”.

Edhe njësitë e kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë shkuar mbrëmë për në qytetin e Pejës, ku sipas ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, janë vënë në dispozicion me të gjitha kapacitetet për të tejkaluar këtë situatë.

“Njësitë tona të kërkim-shpëtimit tashmë janë nisur për në qytetin e Pejës, do të jenë aty ku ka nevojë për t’iu dalur në ndihmë në këtë gjendje të rëndë. Me të gjitha kapacitetet tona jemi në dispozicion për të tejkaluar këtë situatë”, shkroi ai.

Lexo edhe:  I riu shqiptar humb vetëdijen në aeroplanin e linjës Prishtinë – Vjenë, mjeku Dr.Nuhi Arslani ia shpëton jetën