Dhunë në familje në lagjen ‘Nic’: Djali rrah brutalisht nënën e tij të moshuar

Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve.

Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i rëndë ka ndodhur në një familje në lagjen ‘Nic’ në Prishtinë, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë brutale ndaj nënës së tij të moshuar.

Sinjali mëson se 67-vjeçarja ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se pas një konflikti me të birin, 38-vjeçari e ka goditur disa herë me grushte.

Viktima është parë me lëndime të dukshme në trup, mirëpo s’ka pranuar që të marrë tretman mjekësor.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar ‘Dhunë në familje’ dhe i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Lexo edhe:  Një i mitur raportohet i zhdukur në Vushtrri