Lirohet nga burgu kosovari që u arrestua në Serbi pasi mbante simbolin e shqiponjës në makinë

Është liruar nga burgu shtetasi kosovar, Rrahim Musliu i cili që afro 1 muaj po mbahej i mbyllur në burgun e Serbisë. Ai u arrestua për shkak se në makinë e kishte të vizatuar simbolin e shqiponjës dy krerëshe.

Lirimin e tij nga burgu për Insajderin e ka konfirmuar vëllai i tij, Ibrahim Musliu teksa shtoi se ka biseduar me të, e që pritet ta marrë edhe veturën.

“Po ai është liruar që nja 1 orë e gjysmë, tani ndodhet me avokatin sepse kam angazhu avokat në mënyrë që ai të mos jetë asnjëhere vetëm, tash ai ka me shku me marrë kerrin në polici apo ku i ndodhet. Unë kam bisedu me të në telefon, mirë është, i kemi bërë muhabetet e zakonshme e më njoftoi se ka me shku me marrë edhe kerrin”, ka thënë vëllai i tij për Insajderin.

Rrahim Musliu, i cili ka kohë që po jeton në Gjermani u arrestuar me 24 maj në Serbi. Kjo ndodhi derisa Musliu së bashku me gruan e tij (shtetase gjermane) po udhëtonin drejt Kosovës.

Ai pritej që të premten (23 qershor) të dilte para gjykatës. Ndërkohë për rastin ishte e informuar edhe MPJD.

Të njëjtit konfirmuan për Insajderin se kanë njoftuar delegacionin e BE-së e misionet tjera diplomatike në Serbi.

“Për rastin në fjalë, ju njoftojmë se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd, zyrtarisht ka njoftuar MPJD për arrestimin e shtetasit të Republikës së Kosovës, arrestimi i të cilit ka ndodhur gjatë kalimit tranzit në Serbi“, deklaronin nga ministria për Insajderin.

Mërgimtari Musliu nuk ishte ndalur menjëherë në kufi, bazuar në informatat e kryetari të nëndegës së PDK-së në Kiel, Ndue Gjinit ai ishte arrestuar sikur të ishte një kriminel, nga policë të maskuar të cilit iu kishin futur në hotelin ku e kishin vendosur vet.

Lexo edhe:  Lajm i mirë: Po bie vazhdimisht çmimi i naftës, kryenaftëtari jep detaje

“Në ditën e arrestimit (24 maj) i kanë qu në polici, pastaj i kanë liru ua kanë marrë pasaportat dhe ia kanë gjetë hotelin dhe i kanë thënë nesër keni me u lajmru në polici – çka bëjnë ata, të nesërmen i shkojnë me specialsa me maska edhe e kapin Rrahim Musliu”, deklaronte ai.