Sherri që plasi për hakmarrje në Vushtrri, ky është personi që sulmoi me shkop 51-vjeçarin dhe përfundoi në ndalim

Hakmarrja shumë shpesh del të jetë motiv i shumë incidenteve në vendin tonë, që jo rrallëherë kanë përfunduar në rrahje brutale, kanosje serioze e me fatalitet. Kështu ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Vushtrri, ku një person u sulmua brutalisht.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari që ra në prangat e Policisë është Avdullah Dobroshevci, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.

I dyshuari 59-vjeçar, sipas informacioneve të para, e ka sulmuar viktimën me shkop druri në kokë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithçka dyshohet se lidhet me një rast të mëhershëm mes dy palëve, ku për shkak të hakmarrjes, i dyshuari ka tentuar t’i qërojë hesapet me viktimën.

Ky i fundit për shkak të lëndimeve është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.

Ndaj tij, pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar caktimin e masës së ndalimit për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës  së prerë nga Gjykata.

Lexo edhe:  Serbët protestojnë në kufi me Kosovën: Kërkojnë që Serbia ta shpall okupimin e Kosovës