Sulmi brutal ndaj vëllait të Geta Beqës: Katër djemtë e familjes Abrashi futen në sherr, ndalohet edhe 17-vjeçari
Gazeta Sinjali raportoi dje ekskluzivisht se vëllai i ‘Bodybuilderes’ Geta Beqa, Ilir Beqa është sulmuar fizikisht dhe kërcënuar nga katër persona në afërsi të lokalit të tij në Gjakovë, të dielën në orët e mbrëmjes. Motivi dyshohet të jetë një mosmarrëveshje momentale, por nuk dihet nëse lidhet me ndonjë rast të mëhershëm. I dyshuar për këtë rast është Kreshnik Abrashi, emër i njohur për organet e rendit.
Abrashi po dyshohet se bashkë me dy djemtë dhe vëllain e tij, janë futur në sherr, duke e sulmuar e kanosur viktimën Ilir Beqa.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se tashmë edhe djali i tij, E.Abrashi, 17-vjeçar, është arrestuar dhe ndaj tij është lëshuar urdhër për ndalim, nën dyshimin për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.
I mituri po dyshohet se i ka shkaktuar viktimës plagë të rënda, për çka është dërguar në Qendrën Klinike Universitare për trajtim mjekësor.
Rastin e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe të afërm të familjes Beqa, teksa për rastin ka njoftuar edhe Policia e Kosovës.
Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti së bashku me tre të dyshuar të tjerë pas një mosmarrëveshje verbale kanë kanosur viktimën mashkull kosovar ndërsa njëri nga të dyshuarit e ka sulmuar fizikisht viktimën, me ç’ rast i ka shkaktuar lëndime trupore. Viktima është dërguar në QKUK për tretman mjekësor.”
Kujtojmë se Abrashi është emër i njohur për Policinë, pasi dosja e tij kriminale është e pasur me vepra të ndryshme penale siç janë bixhozi, armëmbajtja pa leje, kanosje dhe lëndim trupore.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.