Një punëtor merr lëndime pasi bie nga skelet në Rahovec, dërgohet me urgjencë në spital

Edhe pse rastet e lëndimeve të punëtorëve në vendet e punës nuk janë të rralla, kushtet nëpër kompanitë private po vazhdojnë të jenë të këqija, e ku prej të cilave po pësojnë më së shumti punëtorët.

Një rast i tillë ka ndodhur sot në mëngjes në fshatin Sopniq të Rahovecit, ku një person që po kryente punë ndërtimore në një shtëpi, dyshohet se ka rënë nga skelet.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Rahovec kanë bërë me dije se 32-vjeçari është dërguar atje për ndihmë mjekësore dhe më pas për shkak të natyrës së lëndimeve është dërguar në Spitalin Rajonal ‘Isa Grezda’ në Gjakovë.

Sipas informacioneve të cilat posedon Sinjali, gjendja shëndetësore e punëtorit është stabile dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët bashkë me Inspektoratin e Punës kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Në cilësinë e të dyshuarit është intervistuar pronari i kompanisë ku punon viktima dhe me urdhër të prokurorit rasti është iniciuar ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’.

Lexo edhe:  Gjendje alarmante në Prishtinë – Qytetarët kërkojnë ndihme tek Drejtoria e Emergjencave