Shteti shpërblen me kontratë ‘Petrol Companyn’, që para 4 muajsh ia hoqi licencën

Petrol Company është një prej katër kompanive të derivateve të naftës në Kosovë, të cilave më 19 prill, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ua ka pezulluar lejet për importin dhe deponimin e lëndës së parë, si dhe për shitjen me shumicë të produktit final, që është vaji i rëndë apo mazuti.

Edhe pse kjo kompani dyshohet se kanë shitur produkte të naftës kompanive të palicencuara, nuk ka përdorur mjete matëse të verifikuara, si dhe ka shmangur akcizën, duke deklaruar gabimisht përbërjen e produktit, shteti e ka shpërblyer sërish me kontratë.

Pa i bërë ende pesë muaj, Sinjali mëson se Autoriteti Qendror i Prokurimit (AQP) ka vendosur t’i jap kontratë për furnizim me karburante për nevojat e institucioneve të nivelit qendror po kësaj kompanie.

Në mesin e këtyre institucioneve është edhe vet Dogana e Kosovës, që nga 13 gushti, në afat prej 12 muajve do të furnizohen me karburante nga ‘Petrol Company’ që pak muaj më parë iu pezullua licenca.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, në konferencë me ministren Rozeta Hajdari, më 19 prill kishte deklaruar se gjatë kontrollit të kryer ka rezultuar se ‘Petrol Company’ dhe kompanitë tjera që u pezulluan kanë përfituar nga lirimi i akcizës, rrjedhimisht shmangie të pakontrolluar të të hyrave.

Përveç kompanisë Petrol, edhe kompanive Kosova Refinery, Kulla Exim dhe Inn Oil-Recycling iu janë pezulluar lejet. Ndaj njërës kompani janë duke u zhvilluar edhe procedura nën dyshimet për mashtrim me cilësinë e karburanteve, që u është shitur institucioneve publike. Ministria po ashtu ka njoftuar se janë marrë dhe testuar disa mostra të naftës dizel, të përdorur në kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe në to, sipas saj, janë gjetur raste të jokonformitetit.

Lexo edhe:  Lëshohet “uzbuna” në veri të Mitrovicës, alarm për t’u mbledhur

Kujtojmë se sektori i derivateve të naftës në Kosovë konsiderohet ndër tregjet më fitimprurëse, edhe pse në vazhdimësi ka pasur diskutime për mënyrën e importit dhe efikasitetit të kontrollimit dhe cilësisë së këtij produkti.

/GazetaSinjali/