Babai nga Gjilani në hall me djalin, denoncon dhunën e kërcënimet me jetë – rrëfen se ka paguar 6 mijë euro borxhe të tij

Çdo ditë e më shumë po raportohen raste të dhunës në familje dhe jo rrallëherë viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre. Një rast i rëndë është raportuar edhe nga një prind, në rrugën “Hysen Tërpeza” të Gjilanit, i cili ka rrëfyer në Polici telashet që po ia shkakton i biri që dy vite. Dhunë psikike, kërcënime me jetë e fshirje të borxheve janë vetëm disa nga rastet që ai i ka përshkruar në detaje para hetuesve policorë.

Burimet e Sinjalit nga Prokuroria kanë thënë se viktima ka deklaruar se në dy vitet e fundit, djali i tij ka ushtruar dhunë psikike në vazhdimësi, duke i kërkuar të holla për t’i shlyer borxhet. Dhunës që ka përjetuar për gjithë këta muaj siç duket i kulmoi rasti i fundit.

Në dëshminë e babait thuhet se gjatë ditës së djeshme ai u përball me ultimatum nga djali i tij, se po qe se ai nuk ia jep rreth 2 mijë euro “ose mua, ose unë dikë do ta mbys”, me arsyetimin se borxhlinjtë po e kërcënojnë. Kjo e ka alarmuar prindin, i cili menjëherë është nisur për ta denoncuar rastin në Polici, ku i shqetësuar skajshmërisht ka dhënë rrëfimin e tij edhe për rastet e tjera.

Familja në hall – Babai ka paguar mijëra euro borxhet e djalit

Sipas informacioneve të para, i dyshuari edhe para disa muajsh ka kërkuar shuma të mëdha të parave nga babai i tij, duke e kërcënuar familjen se nëse nuk ia sigurojnë të hollat i vret të gjithë.

I shqetësuar për atë që i ka ndodhur, babai ka thënë para hetuesve policorë se për këto vite ka paguar gjashtë mijë euro borxhet e djalit dhe të gjitha këto para ai ka kërkuar duke shkaktuar probleme në shtëpi.

Lexo edhe:  Reduktime të energjisë elektrike edhe sot

Për të mos mbaruar me kaq, ai dyshohet se edhe ka vjedhur. Stolitë e arit e gjësendet tjera në shtëpi, ai i ka shitur pothuajse të gjitha, në mënyrë që të sigurojë paratë.

Si rezultat i këtij denoncimi, Policia është vënë në veprim dhe ka prangosur të dyshuarin, i cili në Stacionin Policor është përballur me denoncimin kundër tij dhe veprave që dyshohet se i ka kryer.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si dhunë në familje dhe i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.