Policia: Protestuesit tentuan të futen me dhunë në objektin e komunës në Zveçan, u detyruam të përdorim sprej

Protestat e paralajmëruara në katër komunat në veri të Kosovës: Mitrovicës e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin-Potok kanë nisur që më shumë se një orë. Atje janë vendosur një numër i madh ushtarëve të KFOR-it, teksa edhe Policia po ruan ndërtesat e komunave.

Në njoftimin e fundit të lëshuar nga PK, thuhet se protestuesit kanë shfaqur dhunë dhe kanë hedhur gaz lotsjellës, duke tentuar të kalojnë kordonët e sigurisë për t’u futur me dhunë në objektin e komunës.

“Policia është detyruar të përdorë mjetet e ligjshme, si sprej-in, për të ndaluar protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontroll.”.

Njoftimi i plotë:

Angazhimet policore në zbatimin e rendit dhe sigurisë publike, ofrimi i sigurisë ndaj qytetarëve,
liria e lëvizjes së lirë si dhe ndërmarrja e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në
veri të vendit, do të vazhdojnë të mbesin ndër objektivat dhe detyrat primare të Policisë së
Kosovës.

Sot, në veri të vendit, është paralajmëruar të mbahen protesta/tubime, andaj lidhur me këtë
Policia e Kosovës, duke njohur të drejtën për tubime publike përmes protestës paqësore, sipas
detyrës zyrtare, po kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe detyrave të
përcaktuara sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe legjislacionit në fuqi.

Protestuesit në forma të organizuara janë tubuar para objekteve të komunave të veriut si në
Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveqan për të protestuar, ku para objektit të komunës së Zveqanit
protestuesit duke shfaqur dhunë dhe duke hedhur gaz lotsjellës kanë tentuar të kalojnë kordonët
e sigurisë për t’u futur me dhunë në objektin e komunës, ku Policia është detyruar të përdorë
mjetet e ligjshme, si sprej-in, për të ndaluar protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontroll.

Lexo edhe:  Bien temperaturat ndjeshëm, parashikimi i motit për sot

Protestat pranë komunave veriore janë duke vazhduar, Policia e Kosovës është duke menaxhuar
situatën, njëkohësisht fton qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar përgjatë thirrjeve
të protestave, të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të
mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato.