Musliu: 50 për qind e kosovarëve thonë se kanë çrregullime mendore
Muaji maj njihet si muaji i shëndetit mendor, e në një javë kushtuar shëndetit mendor në vendin tonë, u ndërmorën disa aktivitete.
Psikologu Arian Musliu theksoi se këto aktivitete kishin për qëllim vetëdijesimin e popullatës për çrregullimet e shëndetit mendor.
Një aktivitet i tillë ishte “Marshi i Mendjes” i cili kishte qëllim ngritjen e çështjes së shëndetit mendor, për t’iu treguar qeveritarëve se kjo është një pjesë e rëndësishme e shëndetit që po mbetet pas.
Për t’u ngritur kjo çështje në instanca të larta, Musliu tha se e kanë detyrë që të ofrojnë edhe të dhëna për politikanët, andaj kanë realizuar një hulumtim i cili prodhoi të dhëna interesante, mirëpo tepër shqetësuese.
Sipas psikologut, gjysma e qytetarëve të anketuar raportuan probleme të shëndetit mendor, e nga ta, gjysma e tyre këto probleme i kanë vetdiagostikuar, e një numër i tyre pastaj edhe i kanë konfirmuar këto dyshime te psikologu.
Mirëpo të tjerë që janë vetdiagnostikuar nuk kanë kërkuar ndihmën e psikologut pasi ende ekziston stigma.
Musliu deklaron se kur jeta bëhet e vështirë, krijohet perceptimi se po përjetojmë ankth, dhe me shfaqjen e simptomave hulumtojmë në internet ku nuk shohim asgjë të mirë, shohim probleme dhe e diagnostikojmë vetën me probleme të ndryshme si ankthi e pagjumësie.
Psikologu tha në radion Dukagjin se mungesa e njohjeve për problemet e shëndetit mendor çojnë tek stigma, gjë që vjen nga mosdija.
Sipas tij akoma ekziston perceptimi se nëse ke vizituar një psikolog apo psikiatër ke probleme të theksuara, etiketohesh nga shoqëria, dhe kjo është ajo dukuri që po tentohet të luftohet