Lajmi i fundit: Qeveria merr vendim për masat anti-Covid
Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për shfuqizimin e të gjitha masave anti-Covid në Kosovë, menjëherë pasi është marrë vendimi për mbylljen e emergjences shëndetësore.
I fundit në mbledhjen e qeverisë së Kosovës të mërkurën fjalën e mori ministri i Shëndetësisë Arben Vitia i cili tha se autoritetet shëndetësore nuk shohin arsye që masat të jenë në fuqi.
Ai ka përmendur se Organizata Botërore e Shëndetësisë më 5 maj ka hequr gjendjen emergjente të shëndetit publik.
Vitia ka deklaruar se duke marrë parasysh situatën epidemiologjike, nuk ka më arsye që masat anti-covid të jenë në fuqi dhe ka kërkuar shfuqizimin e vendimit për masat.
“Duke marrë parasysh situatën epidemiologjike në zbatim të rekomandimit të Institutit Kombëtar, deklaratën e OBSH-së dhe në bazë të rekomandimeve të komisionit këshilldhënës…duke marrë për bazë dispozitat e ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Kosovës, MSH vlerëson se tani nuk ka më arsye për masat anti-covid dhe kështu kërkon shfuqizimin e vendimit për masat”, tha Vitia.