37-vjeçari lëndohet rëndë pasi bie nga skelet në objektin e ‘Fidola’ në Obiliq, arrestohet përgjegjësi

Edhe pse rastet e lëndimeve të punëtorëve në vendet e punës nuk janë të rralla, kushtet nëpër kompanitë private po vazhdojnë të jenë të këqija, e ku prej të cilave po pësojnë më së shumti punëtorët, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në fshatin Shkabaj të Obiliqit, ku në person teksa po kryente punë në një objekt ndërtimor, ka rënë nga skelet dhe ka pësuar lëndime serioze.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare bëjnë me dije se 37-vjeçari është dërguar atje me lëndime serioze dhe pas dhënies së ndihmës së parë është transferuar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po vazhdon trajtimin mjekësor.

Sinjali mëson se viktima ka qenë duke punuar në objektin e kompanisë ‘Fidola’ dhe në kuadër të veprimeve hetimore, është shoqëruar në Polici personi përgjegjës.

60-vjeçari është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit dhe i njëjti do të hetohet për veprën “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi në vendin e punës”.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor.

Sinjali ka provuar të kontaktojë kompaninë në numrin zyrtar në faqen e tyre, mirëpo të njëjtit kanë qenë të paqasshëm.

Lexo edhe:  Një burrë nga Bosnja u nis në këmbë për në haxh: Aktualisht jam në Turqi dhe agjëroj çdo ditë