Lëndohet një punëtor në Malishevë, dërgohet me urgjencë në spital

Punëtorët në Kosovë përballen me sfida të shumta, e ndër to janë edhe kushtet në vendet e punës dhe rreziku që u kanoset. Jo rrallëherë ata e pësojnë keq, madje edhe tragjikisht, qoftë në ndërtimtari, apo edhe në sektorë të tjerë.

Një rast i tillë ka ndodhur sot në fshatin Mirushë të Malishevës, ku një person është lënduar në vendin e tij të punës.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë kanë bërë me dije se 50-vjeçari është dërguar atje pasi kishte pësuar lëndime teksa po punonte me një sharrë.

Pas dhënies së ndihmës së parë, viktima është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm.

Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer ekzaminimet që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’.

 

Lexo edhe:  Halil Kastrati dhuron një banesë në Vushtrri, niset edhe një shtëpi e re