Vrasja në tentativë në Prishtinë: Të dyshuarit të maskuar tentuan ta qëllojnë me armë 36-vjeçarin që ishte në oborrin e shtëpisë
Mbrëmjen e së enjtes, një qytetar i lagjes Kodra e Diellit në Prishtinë është përballur me një ngjarje të rrezikshme, e cila mund t’i kushtonte edhe me jetë. Dy persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij, derisa 36-vjeçari ndodhej në oborrin e shtëpisë së vetë.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja dhe një fishek, të cilat dyshohet se i përkasin armës që u përdor në rast.
Në kuadër të veprimeve hetimore është marrë dëshmia e viktimës, i cili ka deklaruar se personat e dyshuar ishin të maskuar dhe menjëherë pas kryerjes së veprës, janë larguar në drejtim të panjohur.
Njësitë policore kanë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe që çojnë në identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vrasje në tentativë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.