Konflikt familjar në Prishtinë: Burrë e grua bëhen llom mes vete, përfshihet edhe vjehrri

Telashet në familjet kosovare nuk kanë të ndalur. Përditë në Polici raportohen numër i madh rastesh, ku konfliktet mes bashkëshortëve shpesh përfundojnë edhe me dhunë fizike.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në një familje në rrugën ‘Dëshmorët e Marecit’ në Prishtinë, ku burrë e grua janë rrahur mes vete e më pas në përleshje është përfshirë edhe vjehrri, babai i burrit.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se ka qenë gruaja ajo e cila e ka denoncuar vetë rastin në Polici, ku ka deklaruar se vjehrri dhe bashkëshorti e kanë sulmuar fizikisht, por që ka pranuar se edhe ajo ka përdorur dhunë fizike ndaj bashkëshortit.

Si rezultat i denoncimit, palët janë shoqëruar në stacion policor ku kanë dhënë dëshmitë e tyre lidhur me rastin.

Burri ka mohuar të ketë sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, por ka thënë se në vetëmbrojtje e ka shtyrë që ta largojë nga vetja pasi që ajo po e rrihte.

Ndërkohë babai i të dyshuarit ka deklaruar se pasi ka parë renë e tij duke ia rrahur djalin me shkop druri, ka ndërhyrë që t’i ndajë dhe ka mohuar të ketë ushtruar dhunë ndaj nuses.

Palëve të përfshira në rast, u është ofruar ndihma mjekësore dhe me urdhër të prokurorit ndaj tyre është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Sulm’.

Burri është dërguar në mbajtje, ndërsa babai i tij dhe gruaja do të hetohen në liri.

 

Lexo edhe:  Rrebeshe shiu e bubullima, ky është moti për javën e ardhshme!