I riu në Obiliq nxehet për një ‘shllajf’, sulmon fizikisht një person dhe gjuan me armë
Shoferët në qytetet e ndryshme të Kosovës shpesh hasin në probleme mes vete për shkak të mosmarrëveshjeve në trafik. Ato ka raste kur eskalojnë edhe në të shara e në sulme fizike.
Një ngjarje e tillë ka ndodhur ndodhur sot në fshatin Mazgit i Ulët në Obiliq, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht një tjetër dhe ka shtënë me armë zjarri.
Burimet e Gazetë Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, mirëpo s’kanë gjetur asgjë të dyshimtë.
Viktima ka deklaruar se është sulmuar fizikisht nga i dyshuari, i cili sipas tij, më pas ka shtënë me armë në ajër dhe është larguar. Bazuar në dëshminë e tij, i dyshuari ka dalë nga vetura dhe i është drejtuar me fjalët se ‘kujt i bën shllajf’ e më pas e ka goditur.
Si pasojë e sulmit, 22-vjeçari ka marrë lëndime trupore dhe ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që Policia ka kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, por që as atje s’është gjetur asgjë e dyshimtë.
Në kuadër të veprimeve hetimore, është intervistuar edhe personi i dyshuar, i cili ka deklaruar se nuk ka pasur armë me vete dhe viktimën vetëm e ka shtyrë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.