Si pëlqeu si i kreu punët, djali në Pejë rrah babain e tij
Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në fshatin Kryshec të Pejës, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht babain e tij 64-vjeçar.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se gjithçka ka ndodhur për shkak të pakënaqësive për kryerjen e disa punëve në shtëpinë e tyre.
I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 45-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.