Këta janë dy të dyshuarit për grabitjen e armatosur në shitoren në Fushë Kosovë

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet dhe grabitjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare që po shkaktojnë humbje e pasiguri. Hajnat në të shumtën e rasteve arrijnë që të ikin nga duart e organeve të rendit, por ka të atillë që kapen pas veprimeve hetimore të Policisë. Në pranga kanë rënë dje edhe dy të dyshuar për grabitje të armatosur në një shitore në Fushë Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Leonardo Idrizi 38-vjeçar dhe Kushtrim Miftari 25-vjeçar.

E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur mëngjesin e djeshëm në rrugën ‘Beqir Kelmendi’ në Fushë Kosovë, kur Idrizi dhe Miftari dyshohet se nën kërcënimin e armës kanë grabitur shitoren ‘Vëllezërit Mjeku’ dhe kanë arritur që nga aty të marrin mbi 800 euro para të gatshme.

Pas veprimeve hetimore dhe sipas pamjeve të kamerave të sigurisë që monitorojnë atë zonë, dy të dyshuarit janë identifikuar dhe është arritur që Idrizi të arrestohet në Komoran të Drenasit, ndërsa Miftari është arrestuar në Fushë Kosovë.

Sinjali mëson se gjatë grabitjes, ka qenë 38-vjeçari ai i cili ishte i armatosur.

Po ashtu, në koordinim me Prokurorinë, Policia ka kryer bastisje në shtëpitë e të dyshuarve dhe gjatë kontrolleve nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

Pas arrestimit, dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor ku janë intervistuar lidhur me rastin në prezencën e avokatëve të tyre.

Me urdhër të prokurorit, ndaj tyre është iniciuar rasti ‘Grabitje’ dhe të njëjtit janë dërguar në mbajtje.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Tragjedi në Zvicër, burri vret gruan dhe tre vajzat e tij, më pas veten