Theret me thikë një 20-vjeçar në Fushë Kosovë, i dyshuari kapet pasi iku nga vendi i ngjarjes

Një përleshje mes dy personave ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:00 në Fushë Kosovë, ku si pasojë njëri nga ta është therur me thikë.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për një 20-vjeçar i cili dyshohet se është sulmuar me thikë nga një person tjetër, me të cilin kishte pasur një mosmarrëveshje.

Ai ka marrë lëndime trupore për çka është drejtuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë për të kërkuar ndihmë mjekësore, teksa për rastin është njoftuar edhe Policia.

Një patrullë e Policisë ka dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme, ndërkohë më vonë është intervistuar të riun për të marrë informacione mbi atë që ka ndodhur. Mirëpo i dyshuari fillimisht nuk është hasur askund sepse menjëherë pasi kishte kryer veprën, ka ikur që aty.

Pas një pune hetimore të Policisë, sot është arritur që të arrestohet personi i dyshuar, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, ndaj të miturit është iniciuar rasti ‘Lëndim i rëndë trupor’ dhe ai është dërguar në mbajtje për 24 orë.

Lexo edhe:  Çmenduri në rrugët e Kosovës: Gara me vetura shkakton aksident të tmerrshëm