Përleshje në Ferizaj: 31-vjeçari tenton ta vras shokun, e akuzon se është në lidhje me të dashurën e tij
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka nisur hetimet për një rast të tentim vrasjes, pas denoncimit të një 38-vjeçari, i cili e denoncoi mikun e tij në fshatin Pleshinë të Ferizajt. Motivi i tentim vrasjes sipas informacioneve të para janë akuzat e të dyshuarit A.B., se viktima ka nisur një lidhje me të dashurën e tij.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites, pasi viktima e kishte dërguar shokun e tij në shtëpi. Aty, i dyshuari e kishte marrë një pushkë automatike, të cilën ia kishte drejtuar viktimës, nën dyshimin se ka nisur lidhje dashurie me vajzën të cilën e ka ai të dashur. Ndonëse konflikti nuk përfundoi tragjikisht, mes shokëve pati një ballafaqim. Sinjali mëson se derisa 38-vjeçari ka tentuar t’ia marrë armën, i dyshuari ka shkrepur, duke i shkaktuar lëndime viktimës.
Përballë kësaj situate dhe kanosjes serioze, viktima ka vendosur që t’i njoftojë organet e rendit, me ç’rast Policia është aktivizuar menjëherë dhe ka arrestuar të dyshuarin në shtëpinë e tij. I njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratë në lidhje me rastin. Para hetuesve policorë ai e ka mohuar kategorikisht se ka përdorur armën, me të cilën ka tentuar ta vras shokun e tij.
Por pasi Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, u kuptua se aty ishte shkrepur një plumb, pasi u gjet një gëzhojë dhe një armë, që u sekuestruan.
Pas përfundimit të kontrollit policor dhe provave të mbledhura, duke përfshirë edhe dëshmitë e disa personave, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë për ‘vrasje në tentativë dhe posedim të paautorizuar të armës’.