43-vjeçari i kërkuar për dhunë në familje arrestohet në Aeroportin e Prishtinës, dërgohet në mbajtje

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë  në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes.

E të dyshuarit në shumë raste ikin nga duart e drejtësisë, duke shijuar kështu lirinë nga arratia.

Sinjali mëson se njësoj kishte vepruar edhe një 43-vjeçar, i cili dyshohet se ka kryer dhunë në familje. I njëjti mori rrugën që të udhëtojë jashtë Kosovës, mirëpo u ndalua në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’.

Pas arrestimit, ai është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Kanosje’.

Lexo edhe:  Konflikt familjar në Obiliq, vjehrri kërcënon dhe gjuan me gurë nusen: Kom me të therë nëse m’lajmëron në Polici