Dy persona rrahin keq një 20-vjeçar në Kaçanik, dërgohet me urgjencë në spital
Mosmarrëveshjet mes qytetarëve shpesh herë përcillen me ofendime e kërcënime ndaj njëri-tjetrit. Madje nuk janë të rralla rastet kur ato shpërthejnë në dhunë, duke u përleshur fizikisht mes vete.
Një zënkë e para disa ditëve u bë sebep që një 20-vjeçar në Kaçanik të përfundojë në spital. Kjo pasi që mbrëmë ai dyshohet se u rrah nga dy persona.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kaçanik, kanë bërë me dije se i riu është dërguar atje me lëndime të cilat dyshohet se i ishin shkaktuar nga goditjet me mjete të forta.
Pas dhënies së ndihmës së parë, viktima është transferuar në Spitalin e Përgjithshëm në Ferizaj për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor, ndërkohë që lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Dy të dyshuarit janë paraqitur në stacion policor dhe janë intervistuar lidhur me atë që ka ndodhur.
Rasti është iniciuar ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe me urdhër të prokurorit, njëri nga ta është dërguar në mbajtje.