“Me kanë qe çohet, isha shku e ju kisha thanë: shpirtin tem merre e këta lemi” – Rrëfimi i dhimbshëm i nënës së mërgimtarit që vdiq sot në aksident

Para dyerve të Klinikës Emergjente të QKUK-së në temperatura të larta po qëndron nëna e Shemsedin Sopajt. Aty po pret ndonjë lajm për gjendjen shëndetësore të dy nipërve (fëmijëve të djalit), të cilët po trajtohen që nga orët e para të mëngjesit. Ata u aksidentuan derisa po vinin në vendlindje nga Sllovenia për t’i kaluar pushimet verore. Në këtë aksident, nënës nga fshati Jançisht i Malishevës i vdiq djali Shemsedini, bashkë me gruan e tij, Mirveten. Çifti la pas tre fëmijë.

“Hatri i qatyne fmive unë kam me qëndru…U nisë pa gjumë prej Sllovenisë, t’u punu. Fëmijët du me i afru. Du me ba gajret hatri i tyne”, kështu rrëfen me pak fjalë për rastin e rëndë nëna e Shemsedin Sopajt, i cili, bashkë me gruan, Mirveten, vdiqën pas përfshirjes në një aksident trafiku derisa nga Sllovenia po vinin për në Kosovë.

Kjo grua e rreth të 80-ave po qëndronte e fortë përballë dhembjes së madhe që po e përjetonte.

Në një bisedë për Nacionalen, nëna e Shemsedinit tashmë të ndjerë tregon për historinë e rëndë e të dhimbshme që kanë si familje.

“Hala 22 vjet e varrtë e djalit tjetër s’i kem harru. Djali i madh mu ka vra në luftë. Kur është vra ai, ky djali që u aksidentu (Shemsedini) pati bërtit: “O vlla, më le vet”, i pati thanë”, thotë kjo nënë për plagët shpirtërore që po i bart tash e shumë vjet.

“Me kanë qe çohet, tash isha shku e ju kisha thanë: shpirtin tem merre e k’ta lene. Du me ba gajret, qysh kom ba për të madhin”, thotë nën rënkim nëna që i humbi djalin e gruan e djalit në aksidentin që ndodhi mbrëmë në magjistralen Podujevë – Prishtinë në orët e hershme të 29 korrikut.

Lexo edhe:  Fatmir Latifaj dhe Halil Kastrati pajtojnë dy grupet e tifozëve shqiptare në Maqedoni, pajtimi bëhet në Prekaz