Nxënësi 16-vjeçar kapet me thikë në afërsi të shkollës në Prishtinë, dërgohet në ndalim
Mbajtja e armëve nga të rinjtë tashmë është bërë dukuri që po shqetëson shoqërinë, mirëpo kjo dukuri duket se i ka prekur edhe të miturit, të cilët shpesh kapen me armë edhe në institucionet arsimore.
Një dukuri e tillë, sa shqetësuese aq edhe alarmante është zbuluar në afërsi të shkollës së mesme “Gjin Gazulli” në Prishtinë, ku dje paradite është kapur në flagrancë një nxënës 16-vjeçar me një mjet të mprehtë.
Burimet e Gazetës Sinjali njoftojnë se i dyshuari u ndalua derisa Policia po kryente kontrolle lidhur me sigurinë në shkolla. Të miturin që u kap, zyrtarët policorë ia gjetën një thikë, që u konfiskua, ndërsa i njëjti u shoqërua në stacion.
Pasi u dërgua në Polici, i dyshuari ka dhënë deklaratë dhe më pas Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit për 24 orë dhe inicimin e rastit për armëmbajtje pa leje.
Kujtojmë se kohëve të fundit janë iniciuar shumë raste për armëmbajtje pa leje nga personat e mitur të cilat po trajtohen nga prokuroritë respektive.