Ish-drejtori i Arsimit në Skenderaj i akuzuar për korrupsion pa avokat, shtyhet shqyrtimi fillestar

Mitrovicë- Për shkak se ish-drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Skenderajt i akuzuar për korrupsion, Bekim Latifi, nuk kishte angazhuar avokat, ka dështuar të mbahet të hënën seanca e shqyrtimit fillestar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Latifi akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, me arsyetimin se sa ishte drejtor në Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Skenderajt, ka punësuar një mësimdhënës pa shpallur konkurs fare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari njoftoi gjykatën se nuk kishte mundësi të angazhojë avokat, ndërsa gjykatësi i rastit, Rrahman Beqiri në këto rrethana, e njoftoi se do t’i angazhojë mbrojtës sipas detyrës zyrtare.

Paraprakisht, u bë e ditur se administrata e gjykatës ka kontaktuar me të akuzuarin Latifi, duke e pyetur nëse ka mundësi të angazhojë avokat, por për shkak se i akuzuari kishte pasur rast vdekje, nuk ka pasur mundësi ta njoftojë gjykatën në lidhje me këtë çështje.

“Sipas Kodit të Ri të Procedurës Penale, në këtë çështje penale mbrojtja është e obliguar, pasi kjo vepër penale është e dënueshme me deri në 5 vjet burgim, prandaj gjykata do të kontaktojë me Odën e Avokatëve të Kosovës për të angazhuar mbrojtës sipas detyrës zyrtare, për të akuzuarin Bekim Latifi”, konstatoi gjyqtari Beqiri.

Kështu, gjyqtari Beqiri kontaktoi me Odën e Avokatëve të Kosovës të cilët referuan avokatin Berat Peci, si mbrojtës sipas detyrës zyrtare për të akuzuarin Bekim Latifi.

Në këto rrethana, për shkak se avokati duhet të pajiset me shkresa të lëndës, seanca e sotme u shty, ndërsa e radhës u caktua për 14 prill 2023.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 14 dhjetor 2020, ka ngritur aktakuzë kundër Bekim Latifit, të cilin e ngarkon se më 1 shtator 2018, ne cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Skenderajt, ka tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që tjetrit t’i sjellë çfarëdo dobie, ashtu që në kundërshtim me Ligjin e Punës nr. 03/L-22, ka nënshkruar kontratën e punës me nr. protokolli 45/18 me Berat Dajakun, për mësimdhënës në lëndën e Historisë në Shkollën e Mesme të Ulët “Halit Geci”, në Skenderaj, në paralelen e ndarë në fshatin Rakinicë, pa shpallur fare konkurs.

Lexo edhe:  Ushtari i KFOR-it dërgohet pa shenja jete në Spital, mjeku konstaton vdekjen e tij

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par. 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.